Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, pasi dha dorëheqjen e parevokueshme nga ky post në parti, tregoi se kishte shpresa që menjëherë pas 16 shtatorit, këtë përgjegjësi t’ua kalonte “liderëve tonë të luftës dhe të paqes”.
Hamza tha se për këtë kishte shpresuar deri “në momentin e fundit”.
“Kam besuar se menjëherë pas 16 shtatorit ata do të ktheheshin dhe do të vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politik. Edhe përkundër rrethanave të mia personale, kam qëndruar dhe kam vazhduar me shpresën se kjo ditë do të vinte. Por, 16 shtatori fatkeqësisht e padrejtësisht na bëri këtë shpresë edhe pak më të largët. Megjithatë, as unë as PDK nuk do të dorëzohemi në përpjekjet tona për lirimin e tyre. Do të vazhdojmë të angazhohemi për drejtësi, për të vërtetën, dhe për kthimin e tyre pranë familjeve, pranë popullit dhe pranë Kosovës sepse lirinë e tyre e duam edhe më shumë sesa lirinë tonë”.
