Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, tha se deputetët e partisë së tij votuan pro kandidatit të Vetëvendosjes për nënkryetar të Kuvendit, Ardian Gola, me qëllim të konstituimit të Kuvendit, por se Vetëvendosje nuk votoi pro kandidates së PDK’së, Vlora Çitaku.
“Me qëllim të konstituimit të Kuvendit, e votuam të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ata nuk e votuan të propozuarën e PDK’së dhe në këtë mënyrë e pamundësuan konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve”.
Hamza tha se do ta dërgojnë rastin në Gjykatë Kushtetuese, duke shtuar se tashmë janë të bindur se afatet kushtetuese veçse janë shkelë.
“Me këtë vendi është futur në një situatë të panjohur deri më tani me shumë të panjohura. Kush po dëmtohet? Interesi i vendit. Këtyre s’po iu bëhet vonë që inflacioni ka mbërritur 7.3%, nuk po iu bëjnë përshtypje rezultatet PISA, ikjet e njerëzve nga vend, mosrespektimi i Kushtetutës”.
Para se të hidheshin në votim nënkryetarët, Lëvizja Vetëvendosje nuk përkrahu formën e votimit në pako dhe ishte në favor të votimit veç e veç të kandidatëve.
Pasi Gola u zgjodh, radhën e pati Çitaku, e cila mori votat e PDK’së dhe LDK’së, por jo edhe të Vetëvendosjes duke dështuar të zgjidhej.
Pas kësaj PDK lëshoi sallën. Më pas kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ndërpreu seancën.
