Hamza: Qeveria ime do të jetë pa individë me aktakuzë

Hamza: Qeveria ime do të jetë pa individë me aktakuzë

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se kandidatët për deputetë nga kjo parti, janë larg më të mirë sesa kandidatët e partive të tjera.

Hamza tha se nëse krahasohet lista e PDK-së me atë të partisë në pushtet, VV-së, kandidatët e PDK-së janë më të mirë qoftë në diplomaci, fushat juridike, në infrastrukturë e mjekësi.

“Diferenca është e pakrahasueshme. Mendoj, besoj, e punoj fort që të jem kryeministri i ardhshëm i Kosovës, për këtë arsye kam hy në garë. Deri tash s’kam pasur humbje. Do të ishte nder për mua dhe besoj se po, pavarësisht sfidave që e presin vendin që janë në shumë fusha, do të ishte nder i madh që ta udhëheqi qeverinë e vendit tim dhe besoj se do ta bëjë këtë”, tha ai në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se në momentin që ai bëhet kryeministër, pjesë e qeverisë nuk do të mund të jetë askush që ka aktakuzë të ngritur.

“Standardi i listës për deputetë, do të jetë njëjtë edhe për qeveri. Kushdo që ka aktakuzë të ngritur, pa paragjykuar fundin e procesit, duke e pasur edhe prezumimin e pafajësisë, nuk mund të jetë pjesë e qeverisë. Unë jam i gatshëm që ta paguajë faturën e këtij standardi deri në fund, nuk ka diskutim për këtë punë”, tha Hamza.

Më tej, Hamza tha se përparësia e tij është se “nuk shkojë në Zyrë të Kryeministrit të që të mësojë”.

“Përparësia ime është se nuk shkojë në Zyrë të Kryeministrit që të mësojë. Ditën e parë të punës e kam të qartë se çka duhet të bëjë. Nuk mund të kryhen të gjitha punët brenda një mandati, por shumë punë do të kryhen”, tha ai.

Related Articles