Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Drenicë, por nuk ka folur asnjë fjalë rreth dyshimeve të sulmit të bashkëpartiakut të tij Sami Lushtakut ndaj zyrtarit të LVV-së, Hysni Mehanin, shkruan Gazeta Enigma.
Hamza i komentoi vetëm praninë e forcave të sigurisë së vendit në Skenderaj, duke i cilësuar si “skena aspak të mira” veprimet e Policisë së Kosovës me njësi speciale.
Përmes një reagimi publik, kryetari Hamza tha se njësitë speciale janë dërguar “me urdhër të Qeverisë” dhe se prapa tyre ka pasur “prapavija presioni dhe demonstrimi force”.
Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë që të ndalë, siç u shpreh, “propagandën, urrejtjen, provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë partiakë”.
“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, “braktisja nga votuesit nuk mund të parandalohet me skenarë të rrezikshëm përçarës”.
Në fund të reagimit, Kryetari Hamza u bëri thirrje votuesve të PDK-së dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen te zgjedhjet e 7 qershorit.
“Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, përfundoi ai.
