Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe bashkëpunëtorë tjerë, mori pjesë mbrëmë në ceremoninë hapëse të edicionit të 55-të të Festivalit të Teatrove, që u mbajt në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Festivali nisi me shfaqjen “13” të Teatrit “Adriana” nga Ferizaj, në regji të Sulejman Rushitit. Edicioni i sivjetmë do të zgjasë nga 1 deri më 7 shtator.
Ai sjell në konkurrencë gjashtë pjesë teatrale, ndërsa një shfaqje do të jetë jashtë konkurrencës. Përveç shfaqjeve, gjatë festivalit do të organizohen edhe aktivitete të tjera kulturore.
Kryeministri u shpreh se Ferizaj dhe Teatri “Adriana”, janë bërë shembull për gjithë Kosovën, sepse ka shfaqje jashtëzakonisht të mira dhe ka publik të jashtëzakonshëm, dhe se për të është gjithmonë kënaqësi të vijë e të kthehet aty.
Në lidhje me shfaqjen “13”, të cilën e përcolli, ai tha se pavarësisht se flitej për ngjarje të historisë para një shekulli, ishte shumë aktuale në shumë aspekte.
Kryeministri uroi që në ditët në vijim të ketë sa më shumë publik, jo vetëm nga Ferizaj, por edhe nga qytetet tjera, në mënyrë që të mund të shohin e shijojnë shfaqjet mbresëlënëse.