Haradinaj e porosit Kurtin që të kërkojë përfshirjen e SHBA-së në dialog

Haradinaj e porosit Kurtin që të kërkojë përfshirjen e SHBA-së në dialog

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për media për takimin që zhvilloi sot me me kryeministrin, Albin Kurti, në të cilin thotë se kanë diskutuar për dialogun me Serbinë.

Haradinaj thotë se këtë takim e ka kërkuar nga Kurti qysh më 6 maj, kur ia kishte dërguar një letër.

Haradianaj ka thënë se në takim kanë dëgjuar disa qëndrime të Kurtit për dialogun, duke shtuar se kanë shprehur edhe ata si parti qëndrimet e tyre.

Haradinaj tregon se e ka porositur kreun e qeverisë që të kërkojë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë – Serbi, mungesa e të cilës, sipas tij, prish balancin e interesave të Kosovës në këtë proces.

“Ajo që hetojmë është një mungesë e prezencës së SHBA-së në dialog. Kjo e prish balancën e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari nga SHBA-ja për dialogun. Ka konfuzion në agjenda, disa zhvillime prezantohen si agjendë e procesit të Berlinit, çështja e lëvizjes së qytetarëve me Bosnjën. Në rastet tjera si proces teknik shohim se peshën kryesorë e ka Lajçak por që është nivel i ulët i përfaqësimit në agjendë. Duhet të mos kemi befasi dhe të mbesim në ato që na obligon Kushtetuta e vendit. Ne hetojmë në vazhdimësi një lloj ikje prej faktit që Kosova ka bërë luftë çlirimtare dhe UÇK-ja ka sjellë lirinë dhe se Kosova nuk duhet të barazohet me kriminelët e luftës”, ka thënë ai.

Related Articles