Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e 100 eurove për punëtorët e sektorit publik dhe privat.
Haradinaj tha se kjo shumë është shumë e vogël, duke shtuar se të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe i bëri thirrje Qeverisë që t’i rrisë pagat për të gjitha kategoritë.
“Qeveria duhet të veprojë si qeveri e shtetit. Qytetarët kanë nevojë edhe për 1 euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin vetëm 1 muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 euro që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje të krizës financiare qytetare. Kjo shumë është e vogël që Kurti ta fsheh dështimin e tij për rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave për të gjithë”.
“Të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe të përhershme dhe qeveria e vendit duhet që urgjentisht t’i rris pagat për të gjitha kategoritë. Ne propozojmë që paga minimale të jetë 370 euro, pagat s’kanë lëviz, s’ka rritje të pagave me vite. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë ligjin e pagave me rritje prej 33 për qind të pagave për të gjitha skemat pensionale”.
Ndër të tjera, Haradinaj tha se duhet të kalojë ligji për tërheqjen e Trustit dhe qeveria t’ua kthej qytetarëve paratë për faturat e rrymës.
“Qeveria duhet të veprojë pa vonesë me zbrit TVSH-në për artikujt ushqimor dhe ta heq taksën për pagat nën 370 euro. Qysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e trustit, të paktën 15 për qind dhe menjëherë pa vonesë me ua kthy paratë qytetarëve për faturat e fryra të rrymës”, tha Haradinaj.