Haradinaj kritikon Kurtin: Nuk ke merita për Parkun e Erës

Haradinaj kritikon Kurtin: Nuk ke merita për Parkun e Erës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar inaugurimin e Parkut të Erës në Mitorivcë.

Ai tha se meritat e Qeverisë Kurti për këtë projekt janë zero.

Tutje, Haradinaj tha se nëse kryeministri Kuti të mos e kishte, sipas tij, kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’i gëzoheshin edhe dy sukseseve në fushën e energjisë.

Sipas Haradinajt, nëse Kurti nuk do t’i bënte këto dy kundërshtime, qytetarët nuk do t’i vuanin pasojat e mungesës së energjisë së çmimeve.

“Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend”, ka shkruar Haradinaj.

Ai thotë se ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sipas tij, janë ndalur nga Kurti.

Ndryshe, Kurti bashkë me ministren gjermane kanë inauguruar parkun e erës në dy fshatra të Mitrovicës.

Sipas Kurtit, prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit dhe do të ulë emetimet e CO2 për 247 mijë ton.

Nga ky vend, Kurti foli për politikat e tij të gjelbra, duke shtuar se me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtëritshme.

“Është kënaqësi – edhe pse një kënaqësi shumë e ftohtë dhe me erë – të jem këtu me ju sot për inaugurimin zyrtar të parkut të erës Selac. Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por  veçanërisht sepse ne kemi nevojë të ulim gradualisht përdorimin e qymyrit duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”. /Gazeta Enigma/.

Related Articles