Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kujtuar ngjarjet e 21 dhe 22 prillit, data këto të shënuara në historinë e lavdishme të Kosovës si kthesë në rrugëtimin e shqiptarëve për liri.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka kujtuar Armend Dacin nga Irzniqi i Deçanit, një student i notave dhjetëshe, i angazhuar në celulat e para të UÇK-së.
“Kujtuam dje 21 prillin si datë që shënon disa ngjarje që bënë kthesë në rrugëtimin tonë për liri. Armend Daci nga Irzniqi i Deçanit ishte student i dhjetësheve. Ai do të angazhohej në celulat e para të UÇK-së dhe ishte i afërt me sot Heronjtë e Kombit, Adrian Krasniqi e Edmond Hoxha. Pikërisht, atij do t’i organizohej atentati përderisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Që të nesërmen e rënies së tij, me 22 prill 1996, u organizuan disa sulme kundër personelit të sigurisë serbe në disa pjesë të Kosovës”.
Dy vite më pas, kur lufta për liri kishte marrë hov, forcat e pushtuesit u thyen në Baballoq të Deçanit, ka shkruar më tej Haradinaj.
“Ata u përballën me vendosmërinë e trimave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u bën mur mbrojtës i zonës së lirë, që e mbrojtën me trimëri e guxim”, ka thënë në fund Haradinaj, ndërsa ka kujtuar edhe rënien e Isa Kastratit.