Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ç’rast ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Siguri i cili është mbajtur në Kongresin Amerikan, raporton Gazeta Sinjali.
Në fjalën e tij, Haradinaj ka thënë se anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Kosovës në NATO, do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
“Unë besoj fuqishëm se anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Kosovës në NATO do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë mbarë rajonale, dhe do të luftojë dukshëm agjendat keqdashëse të të tjerëve”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, është koha që bota demokratike të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet
“Është koha që bota demokratike, e udhëhequr nga Amerika, të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet: brenda Kosovës, por edhe në forcimin dhe rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe globalisht.
Ky vendim nuk është asgjë më pak e as më shumë se një angazhim dhe mobilizim i thellë për ne, duke qenë së bashku në një vijë për t’u përballur e luftuar kundër agjendave keqdashëse të vendeve jodemokratike, siç janë Kina e Rusia”, ka shtuar më tej ai.
Haradinaj ka përmendur edhe agresionin rus në Ukrainë, duke thënë se duhet të jemi të alarmuar për nivelin e kërcënimit dhe këtyre veprimeve.
“Në rrethanat kur një shtet si Rusia kryen pa asnjë hezitim agresion dhe krim ndaj një shteti, si në rastin e Ukrainës, dhe shtetet tjera si Kina që nuk do të hezitojnë në asnjë moment të mbështesin këtë agresion, ne nuk duhet të qëndrojmë të qetë dhe ‘duke u marrë vesh/kryer punë si zakonisht’, por duhet të jemi të alarmuar për nivelin e kërcënimit dhe këtyre veprimeve.
Pra, le të bashkohemi në marrjen e këtyre vendimeve, të cilat aq sa janë të rëndësishme, janë njëherazi të vështira, dhe le të qëndrojmë për atë që besojmë e të mbrojmë vlerat e lirisë dhe demokracisë, pasi nuk kemi një zgjidhje apo opsion të dytë. Këtë e arrijmë vetëm nëse jemi bashkë”, është shprehur Haradinaj në Kongresin Amerikan.