Haradinaj: Qeveria ka mundësi për rritje të pagave e pensioneve deri në 25-30%, Albini po mashtron dhe po abuzon me numra

Haradinaj: Qeveria ka mundësi për rritje të pagave e pensioneve deri në 25-30%, Albini po mashtron dhe po abuzon me numra

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar me kritikat e tij ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti, të cilit i ka thënë se nuk qeveriset gjithmonë me mashtrim, shkruan Enigma.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se askush nuk beson më në shifrat e Kurtit dhe madje sipas tij, edhe militantët e dinë që po mashtron dhe po abuzon me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim.

Ai më tej ka pyetur Kurtin se përse nukpo rrit pagat e pensionet të paktën për 25 për qind.

“Mashtrimi s’kalon! Nuk ndërtohet vendi e as nuk qeveriset gjithmonë me mashtrim. Nëse nuk ta kanë thënë dhe nëse nuk e din vetë, çka unë dyshoj, jeta e qytetarit të Kosovës nuk është duke u përmirësuar por është duke u varfëruar. Askush nuk ju beson më shifrave tua e edhe militantët që të rrinë përreth e dijnë që je duke mashtruar dhe po abuzon me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim. Nëse e ke rritë buxhetin për 35%, pse të paktën s’po i rritë pagat e pensionet, bile të paktën 25%? Ndoshta po pret fushatën zgjedhore e pastaj ta realizosh rritjen se të duhet për vota. S’ka lidhje. Përfito me këtë formë të ulët mashtrimi por veç ngriti pagat sepse njerëzit e këtij vendi janë dhe kanë shumë nevojë për rritje pagash e pensionesh. Çdo ekspert buxheti e din që ke mundësi për rritje deri në 25-30% pa asnjë problem qysh sot”, shkroi ai.

Haradinaj po ashtu ka përmendur sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, duke thënë se Kosova ka humbur rreth 500 milionë euro për një vit.

Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti se ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në integrime euroatlantike dhe ka dëmtuar raportet me investitorë.

“Albin, në Kosovë për katër vite nuk është krijuar asnjë vlerë e re, as politike as ekonomike dhe nuk ka progres në asnjë sferë të jetës. Kemi sanksione nga BE dhe kemi humbur për një vit rreth 500 milionë EURO veç nga këto masa. E ke dëmtuar rëndë pozicionin e Kosovës në integrime euro-atlantike dhe askush nga vendet aleate nuk të sheh si partner por si person që duhet menaxhuar. Ke dëmtuar raportet me investitorë dhe ke mbajtur ata larg nga Kosova. Agjencioni i Statistikave që është pjesë e zyrës së Kryeminstrit të ka tregu që 211, 749 qytetarë e kanë braktisë Kosovën për 4 vite sa ti ke qeverisë. Nëse flet me të rinj, shumë prej tyre janë duke aplikuar dhe duke u përpjekur që të ikin dikah. Nuk ke asnjë ide asnjë koncept me ndihmu vendin përveç populizmit, fjalëve të bukura dhe veprimeve boshe”, shkroi më tej Haradinaj.

Ish-kryeministri i është drejtuar Kurtit me thirrjen që të mos abuzojë me statistika dhe të mos mashtrojë, teksa është shprehur se me trendet që ka shefi i Qeverisë, nuk i duhet fitorja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do mbahen më 9 shkurt 2025.

“Mos abuzo me statistika e mos mashtro. Kërkah s’është drejtimi që i ke dhënë Kosovës. Me trendet që i ke nuk besoj që të duhet fitorja në zgjedhje. Nuk përfiton Kosova e jam i sigurt që as ti, sepse “zullumi këputet për së trashi” thotë populli”, përfundoi Haradinaj.

Related Articles