Haradinaj – Speciales: Ju i paskeni sjellur dokumentet në OVL për të na futur në kurth

Haradinaj – Speciales: Ju i paskeni sjellur dokumentet në OVL për të na futur në kurth

Edhe këtë të enjte është duke vazhduar seanca ndaj ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, raporton Gazeta “Enigma”.

Në këtë seancë, Haradinaj u përball me pyetjet e prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë rreth dosjeve që nga një person i panjohur u lanë në zyrën e OVL-së së UÇK-së e më pas u publikuan në disa media.

Haradinaj u pyet në lidhje me atë se a ka qenë në dijeni që njëri nga detyrimet ka qenë që këto materiale të mos publikoheshin.

Ai tha se u është thënë vetëm që këto materiale të mos i shpërndajnë dhe të mos i shumëzojnë.

“Unë po tregoj për gjykatën se çka kam ditur. Ne e kemi kuptuar që nuk duhet të ketë material me shumëzu, me shpërnda dhe me publiku dhe asnjërën s’e kemi bërë”.

“Hetuesi na ka thënë se këto materiale mund të jenë të ndjeshme dhe kurrë s’na ka kthyer përgjigje të saktë se a ishin më të vërtetë të ndjeshme a po jo. Ai ka thënë se mund të jenë të ndjeshme dhe interesant për ne. De facto ai s’e ka pranuar me gojë që janë të tyre, na ka thënë se nuk bën t’i shumoni, t’i reklamoni dhe ne s’e kemi bërë asnjërën”, është shprehur Haradinaj.

Ish-zëdhënësi i OVL-së së UÇK-së para trupit gjykues tha se ndjeu keqardhje për gazetarin Halil Berisha në momentin kur e pa të dëshmonte në Hagë pasi, sipas tij, në vend të tij është dashur të jetë Zekirja Shabani [kryeredaktor i mediumit].

Ai tha se ka qenë Shabani ai që e ka bindur Berishën që ta marrë komplet dosjen me dokumente nga OVL e UÇK-së.

“Nuk na ka ndodhë në tri seanca që dikush të na kërkojë ta marrë komplet dosjen. Ky e ka marrë dosjen me direktivë të tij, iu ka thirr juve, më ka provokuar dhe më hetues ka qenë ky atë natë sesa inspektorët e juaj. Ky e ka bërë një punë të mirë për ju dhe ky është njëri prej atyre gazetarëve që na ka provokuar”, ka vazhduar dëshminë e tij Haradinaj.

Haradinaj u pyet nëse materialet që kanë pranuar kanë pasë shenja që tregojnë se janë dokumente top sekrete.

Ai deklaroi se përderisa kanë arritur në zyrën e OVL-së së UÇK-së për të de-facto nuk janë sekrete sepse, sipas tij, sekretet nuk vijnë në zyrën e OVL-së së UÇK-së.

“Neve s’na është konfirmuar se a është sekrete. Unë s’e kam kuptuar që është sekret, s’më është sqaruar mua e askujt. Si mund të jetë sekret dicka që arrin publikisht në zyrat tona? Kjo është marre nëse të nin dikush”.

Haradinaj vazhdoi duke thënë se dokumentet që kanë ardhur në zyrat e OVL-së së UÇK-së nuk e kanë ditur se të kujt janë prandaj, sipas tij, ka qenë interes publik të dihet se çka ka ardhur.

“Nëse kisha desht t’i shpërndajë i kisha shpërnda dhe do të merrja përgjegjësi dhe për këtë punë që e kam bërë nuk pendohem as tash”.

Ai gjithashtu u pyet edhe nëse dokumentet u bënë publike në momentin që arritën në zyrat e OVL-së së UCCK-së ku Haradinaj tha se dokumentet që s’janë publike s’mund të arrijnë në zyrat e tyre, teksa shtoi se tash e kupton se e gjithë kjo, sipas tij, paska qenë kurth.

“Dokumentet që s’janë publike s’mund të arrijnë në zyrën tonë. Unë kam letra që të mijat që s’janë publike, që m’i ka çuar gruaja gjatë shërbimit ushtarak”.

“Nëse janë të tuajt, ju nuk e keni vërtetuar, meqë po e bëni këtë zhurmë, mbani përgjegjësi. Pse na i keni sjellë? Tash po e shoh që ju keni pasur qejf që ne të dalim me to, sepse paska qenë kurth, tash po e shoh që paska qenë kurth.  Tash po e shoh që ju i keni sjell, që ne ta bëjmë këtë punë e ju të na montoni kinse e kemi bërë ne”.

Related Articles