Haxhiu konfirmon se do të shkojë në Hagë në fund të muajit: Do të takoj këdo që pranon

Haxhiu konfirmon se do të shkojë në Hagë në fund të muajit: Do të takoj këdo që pranon

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka konfirmuar që do të udhëtojë në fund të këtij muaji drejt Hagë për ta takuar të gjithë ata që janë duke u gjykuar nga Dhomat e Specializuara – ashtu siç deklaroi mbrëmë kryeministri Albin Kurti.

“Në fund të këtij muaji unë bashkë me Komisionin për Legjislacion, në fakt kryetarin dhe një anëtar të këtij komisioni, si dhe bashkë me nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci kemi planifikuar ta kemi një vizitë në Hagë”.

Ajo tha se është e vërtetë që disa prej ish-krerëve të UÇK-së nuk kanë pranuar të takohen me zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, kur ai ka qenë në vizitë vitin e kaluar.

E para e dikasterit të drejtësisë thotë se do të bëjë kërkesë që të takohet me të gjithë ata që po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë dhe mbetet në vullnetin e tyre nëse duan ta kenë një takim me të ose jo.

“Është e vërtetë që disa prej tyre nuk e kanë pritur ministrinë e Drejtësisë në vitin e kaluar në vizitë, por si ministri e Drejtësisë kemi obligim që të bëjmë kërkesa për të gjithë pavarësisht dallimeve politike që kemi për çështjet që kanë ndodhur pas luftës. Sa i përket luftës çlirimtare të UÇK-së kemi një qëndrim – lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim, prandaj problemet e pasluftës politike me ta nuk më bëjnë mua që të mos kërkoj që t’i vizitoj. Mbetet në vullnetin e tyre nëse duan ta presin apo jo ministrinë e Drejtësisë. Ne do të shkojmë atje dhe do të vizitojmë të gjithë ata që pranojnë të na takojnë”.

Haxhiu, në konferencën e sotme, ka sqaruar se vizita do të realizohet në cilësi institucionale dhe jo në bazë partiake apo miqësore.

“Formulari që plotësohet është vizita realizohet nga miqtë/ kolegët, familjarët dhe të tjerët. Ne e kemi rrumbullakësuar këtë të tretën dhe në faqen e dytë shkruan ministria e Drejtësisë, pra vizita bëhet zyrtare në cilësinë e ministres së Drejtësisë”.

“Nuk kemi shkuar asnjëherë në baza individuale, kolegiale, miqësore apo partiake – vetëm institucionale. Kemi obligim institucional që të shohim se cilat janë problemet apo të drejtat që atyre iu shkelen. Nuk mund t’i kuptojmë ato pa këto vizita, prandaj konsiderojmë që tregojmë interesin tonë mbi një padrejtësi të madhe që po ndodh”./Gazeta Enigma/

Related Articles