Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT ka mbajtur konferencën Ndërkombëtare me temën: “Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e të burgosurve në Kosovë: Implikimet në Standardet e të Drejtave të Njeriut”.
Aty u tha se qëllimi i kësaj konference është organizimi i një diskutim publik rreth marrëveshjes e cila do t’i mundësonte Danimarkës marrjen me qira të burgjeve në Kosove.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me marrëveshjen me Danimarkën për lëshimin me qira të burgjeve, Kosova përfiton një donacion milionëshe.
“Republika e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që t’i ndihmojë Mbretërisë së Danimarkës në kërkesën që ka pasur për transferimin e të burgosurve që aktualisht mbahen në burgjet e Danimarkës. Për faktin se Mbretërie e Danimarkës është një shtet mik i yni dhe i ka ndihmuar Kosovën për vite të tëra”, tha ajo.
Haxhiu tha se e vlerëson faktin që Kosova që është vlerësuar si palë serioze në këtë çështje, raporton EO.
“Unë jam e bindur që nëse Mbretëria e Danimarkës do të synonte edhe ndonjë vend tjetër, natyrisht që kjo do të mund të bëhej, besoj që është vlerësuar administrimi i mirë i institucioneve korrektuese në Kosovë. Ne jemi në përpjekje të vazhdueshme që të bëjmë më shumë më mirë nëqoftëse këto raporte vlerësohen nga organizatat vendore e ndërkombëtare e del që Kosova ka avancim në këtë drejtim. Si kompensim për këtë, Kosova do të përfitojë një donacion milionësh”, tha Haxhiu./Gazeta Enigma/