Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë një përmbledhje të punëve që ministria që ajo drejton ka bërë gjatë vitit 2021.
Ajo ka thënë se po punojnë për reformimin e sistemit të drejtësisë për ta vënë drejtësinë në vend.
“Së bashku me ekipin e kabinetit tim dhe shumë shërbyes civilë të MD-së dhe bashkëpunëtorë të jashtëm kemi arritur që të përmbushim zotimet tona që parashihen edhe në programin qeverisës, zotime këto që i kemi thënë edhe para qytetarëve të Kosovës. Po përmbyllim këtë vit duke vlerësuar të arriturat e deritanishme dhe duke qenë të vetëdijshëm për sfidat, por edhe për sukseset që do të ndjehen gjatë vitit 2022”.
“I kemi dhënë detyrë vetes që me vullnet të hekurt të punojmë për shtetin e së drejtës përmes reformimit të thellë të sistemit të drejtës si kusht i domosdoshëm për të vënë drejtësinë në vend dhe për ta kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”.
Haxhiu, në konferencën e fundvitit, ka numëruar punët që ministria e Drejtësisë ka kryer e të cilat ajo i konsideron si sukses.
“Kemi arritur që të finalizojmë dhe miratojmë në qeveri rreth 30 dokumente si projektligje, koncept-dokumente, strategji e rregullore dhe akte të tjera të rëndësishme. Deri tani kemi miratuar 19 projektligje në qeveri dhe janë finalizuar pesë projektligje të tjera të cilat presin miratimin në mbledhjen e radhës të qeverisë, pra gjithsej janë 24 projektligje që janë proceduar në qeverinë e Kosovës – rreth 80 % përmbushje e programit legjislativ të MD-së”.
“Janë miratuar katër koncept dokumente të rëndësishme, rregullore dhe strategji, dhe katër udhëzime administrative dhe akte të tjera të rëndësishme. Kemi nënshkruar dy marrëveshje ndërkombëtare dhe një letër qëllim”./Gazeta “Enigma“/