Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, raporton Gazeta “Enigma”.
“Sot, për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 10 vite burgim kriminelin, Zoran Vukotic për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo e ka konsideruar këtë një lajm shumë të mirë për historinë e Kosovës.
“Ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”.
Ministrja e Drejtësisë ka premtuar angazhim për arritjen e drejtësisë për krimet e luftës.
“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë!”, ka shkruar ndër të tjera Albulena Haxhiu.