Pretendetja për kryeparlamentare Albulena Haxhiu, akuzuar partitë deri tash në opozitë se po bëjnë sulme seksiste ndaj saj, të cilat i ka quajtur të papranueshme, raporton Gazeta Enigma.
“Nuk i kuptoj arsyet publike që i kanë bërë opozita për kundërshtimin tim. Më quajnë përçarëse, konfliktuoze, por jam e hapur të diskutojmë për secilën çështje që kam bërë, asnjëherë nuk kam vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Sulmet seksiste, mizogjene, kanë qenë të papranueshme”, ka thënë ajo.
Tutje ajo ka theksuar se janë në pritje të Gjykatës Kushtetuese.
“Sot ishte hera e 17-të prej kur është vendosur propozimi për votimin e fshehtë, kjo procedurë ka filluar që nga 1 maji. Përkundër kësaj, ne nuk kemi një situatë ndryshe, pra opozita me një inat irracional, ka vendosur të mos marrë pjesë në votim. Sot bëhen tri javë prej kur AAK-ja e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, pra AAK-ja me mbështetjen e disa deputetëve e ka kontestuar votimin e fshehtë. Përkundër faktit që kanë kaluar 3 javë nuk kemi përgjigje. Urojmë që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me rrethanat, dhe të marrë vendimin. Ne kemi dërguar komentet në raport me të njëjtën”, ka thënë Haxhiu.