Haziri: Kosova humbi mbi 400 milionë euro nga sanksionet e BE-së

Haziri: Kosova humbi mbi 400 milionë euro nga sanksionet e BE-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një konferencë për media të mbajtur në Gjilan ka deklaruar se nga sanksionet e BE-së, Kosova humbi mbi 400 milionë euro, raporton Gazeta “Enigma”.

“Masat ndëshkuese ekzistojnë në Kosovë, efekti financiar ka kaluar 420 milionë euro, ka filluar me 270, por kur ngrihen fondet financiare ndëshkimet shkojnë duke u rritur. Ne duhet të punojmë shumë për largimin e masave ndëshkuese që ka Kosova. Po vjen koha që nuk ka kush na largon masat në Evropë. Mund të shtohen, por të largohen është problem, sepse duhet harmonizim mes 27 shteteve”, tha Haziri.

Tutje ai ka shtuar se “Serbia është strehë e terroristëve”, duke iu përgjigjur kështu pyetjes për takimin e Milan Radoiçiq dhe ambasadorit të Serbisë në ShBA.

“Serbia nuk është vetëm burim i de-stabilizimit dhe financuese e terrorizmit, por ajo është strehuese e terrorizmit dhe nuk është befasi takimi i ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq me Radoiçiqin. Pse duhet të na befasoj kjo situatë?”, ka pyetur ai.

I dyti i LDK-së ka folur edhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe.

“Çështja e dinarit po përfundon si çështja tabelave dhe asaj të energjisë. Ka një kokëfortësi deri në një periudhe të caktuar, mandej përkthehet me tërheqje prapa. Është thënë që nuk takohemi fare për dinarin, tani po del kanë diskutuar dhe janë takuar”, theksoi Haziri. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles