Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar çmimin e energjisë elektrike në Kosovë, duke thënë se faturat më të larta po rëndojnë familjet, bizneset dhe sektorin prodhues.
Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, Haziri ka kërkuar që përplasjet politike ndërmjet pozitës dhe opozitës të mos ndikojnë te qytetarët dhe interesat e familjeve kosovare.
“Familjet paguajnë rrymë më shtrenjtë, shërbimet në Kosovë paguajnë rrymë më shtrenjtë, sektori prodhues paguan rrymë më shtrenjtë, secili paguan rrymë më shtrenjtë dhe kjo është e vërteta e madhe”, ka deklaruar ai.
Në fjalën e tij, Haziri ka përmendur edhe luftërat në vende të ndryshme, duke kujtuar se Kosova është përballur me luftë dhe pasoja të rënda shumë kohë para konflikteve të fundit në Ukrainë dhe Iran.
“Përkundër paralajmërimit tuaj për një dimër të madh, nuk dua të shkaktoj asnjë lloj polemike. Luftëra ka pasur edhe para Ukrainës, edhe para Iranit. Ka qenë Siria, Libia, Iraku dhe, përtej kësaj, në kohën tonë ka qenë edhe lufta e Kosovës, kur nuk kemi pasur asgjë dhe kur i kemi humbur të gjitha, por jemi rikthyer dhe kemi filluar ndërtimin e jetës”.
Në fund, deputeti i LDK-së ka kërkuar që debatet politike dhe përplasjet për qeverisjen e kaluar të mos shtrihen te familjet dhe interesat e tyre.
“Koha jonë dhe koha juaj, partia ime dhe partia juaj, krejt në rregull është, përmendni, shfrytëzojeni. Te familjet mos prekni, te familjet mësohuni të mos prekni”.
