Haziri pas deklaratave të Escobarit: Në një vend demokratik nëse qeveria s’bie me dorëheqje, bie në forma të tjera

Haziri pas deklaratave të Escobarit: Në një vend demokratik nëse qeveria s’bie me dorëheqje, bie në forma të tjera

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratat e emisarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se ka shumë zhgënjim me Qeverinë Kurti, jo vetëm në Uashington por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris.

Haziri tha se deklarata e Escobarit ka zbardhur pikën më të ulët të raporteve që ka sot Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, me qeverinë amerikane, NATO-n, BE-në dhe me fqinjët e saj.

“Qeveri jo-kompetente, e cila nuk planifikon efektet e vendimit të saj. Në një vend demokratik, nëse qeveria nuk bie me dorëheqje, bie në forma të tjera”, shkroi Haziri.

“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, tha Escobar.

Ndryshe, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se janë shumë të zhgënjyer me Qeverinë që udhëheq Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin.

“Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”, tha Escobar.

Escobar, shtoi se “Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale”.

“Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për të riparuar këtë marrëdhënie”, tha tutje emisari amerikan.

Related Articles