Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka thënë se shkëlqimi i marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kthehet kurrë më.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai e ka fajësuar Qeverinë Kurti për këtë prishje të raporteve të shkëlqyera me partnerët ndërkombëtarë.
“Shkëlqimin e marrëdhënieve, e në veçanti me ShBA-në dhe me disa shtete kryesore të BE-së, ia ka humbur dhe ai shkëlqim nuk kthehet kurrë”, ka thënë ai.
“Marrëdhëniet do të riparohen deri në atë shkallë që partnerët tanë do të thonë: Kujdes ndaj tyre se këta dinë të ta kthejnë shpinën, dinë të hezitojnë dhe dinë me qenë mosbesues”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Qeveria Kurti me veprimet ose mosveprimet e saj u ka dërguar shteteve partnere të Kosovës një mesazh të cilin ato nuk e kanë pritur.
“Marrëdhëniet të dëmtohen deri në atë shkallë me ShBA-në, Gjermaninë dhe Francën, nuk mundet askush në Kosovë me t’i dëmtojë aq shumë”, ka shtuar ai.