AKP i jep tender 67 mijë euro kompanisë së vëllait të Luan Dalipit, shefit të kabinetit të Kurtit

AKP i jep tender 67 mijë euro kompanisë së vëllait të Luan Dalipit, shefit të kabinetit të Kurtit

Në Ditarin e ri të gazetarit Berat Buzhala është publikuar një video në të cilin ka shpërfaqur tenderin e fituar nga Management and Devlopment Associates (MDA), kompani që dikur punonte si konsultant Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti. Në fakt, në këtë kompani, që fitoi tender nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës ende punon vëllai i Dalipit, Driton Dalipi.

Pra kompania e vëllait të shefit të Kabinetit të Kurtit ka fituar tender nga një institucion i Kosovës në vlerë prej 67 mijë euro. Edhe më qartësisht: kompania e vëllait të “dorës së djathtë” të Kurtit ka fituar tender dhjetra mijëra euro nga një institucion publik i Kosovës.

Në “Ditarin e Buzhalës” janë shfaqur edhe komunikimet përmes telefonit në mes gazetares së Nacionales, Leonita Demaku, dhe vëllait të Luan Dalipit, Dritonit, i cili ishte jashtëzakonisht i nervozuar gjatë bisedës për interesimin e Nacionales për këtë tender.

“Nëse e kshyrni aty, me sa e di unë, ai tender është fituar me çmimin më të ulët.” – tha ai fillimisht, teksa tregoi se po e inxhizonte bisedën me gazetaren!

“Unë nuk e bëj përzgjedhjen kush e fiton. Është grupi aty në AKP që e ka përzgjedh kush e fiton tenderin dhe ne kemi qenë me çmimin më të ulët e kemi fitu.” – tha ai.

E pas kësaj përgjigje, gazetarja e Nacionales e pyeti nëse mendon se ka konflikt interesi, pasi vëllai i tij është shef i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti. Në vend se të përgjigje, ai ia shtroi një pyetje gazetares Demaku.

“A mendon se na që kompani, që ekzistojmë që 20 vjet në Kosovë dhe pagujmë taksa të rregullta, dhe punësojë mbi 20 persona, nuk guxojmë me apliku në asnjë tender publik a? Nuk guxojmë na a?” – pyeti ai.

Ndryshe kompania e vëllait të Dalipit,ku Dritoni është “managing partner”, ka fituar tenderin për ofrim të shërbimeve për marketing, dizajn, video-produksion dhe publikim në portale, të cilën e ka dhënë Agjencia për Privatizimin e Kosovës.

Ndryshe, në deklarimin e pasurisë të bërë në vitin 2021, Luan Dalipi kishte rënditur edhe një pagë prej 27 mijë euro nga kompania MDA, ku punonte si konsulent, e cila tashmë ka fituar tender prej 67 mijë euro nga AKP-ja.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte bërë me drejtor të ri menaxhues disa muaj më herë, pasi aty ishte emëruar Arben Limani. Siç shkruante Nacionale, në Agjencinë që pritej të shuhej, Qeveria ka emëruar një familjar të një militanti të VV-së. Arben Limanit duket t’i ishte ‘shpërblyer’ përkrahja që i vëllai i tij, Faton Limani, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje.

Komunikata e Bordit të AKP-së e përmendte përvojën e gjatë të Arben Limanit, duke theksuar se Limani është angazhuar në AKP që nga viti 2009 e deri më tani, teksa thuhet se ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit të Drejtorëve nga viti 2011 e tutje.

AKP / AKP nuk po shuhet, Qeveria Kurti emëron vëllain e militantit të VV-së drejtor menaxhues
Megjithatë, Bordi i AKP-së nuk e kishte përmendur edhe afërsinë e familjes Limani me VV-në. Në fakt, Faton Limani, i vëllai i drejtorit të ri menaxhues, është militant i VV-së.

Siç shkruante Nacionale, Limani, ndonëse jeton në ShBA, është shumë aktiv në përkrahjen për VV-në.

Related Articles