Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Gjilani, Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër qeverisjen e partisë Vetëvendosje (VV) në Gjilan, duke theksuar se kjo qeverisje e ka dërguar komunën në një krizë të thellë financiare, shkruan Enigma.
Ai ka thënë se në anën tjetër, LDK ka rikonfirmuar konstruktivitetin në kuvendin komunal duke mbështetur maksimalisht shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuar.
‘‘Por, e keqja e madhe është që Gjilani për më shumë se tri vite ka humbur parametrat zhvillimorë, sepse synimi i kësaj administrate është punësimi i kunatave e balldëskave, punësimet klienteliste e puro partiake’’, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Përkundër që VV e solli Gjilanin në një gropë të zezë financiare, duke mos realizuar asnjë plan të investimeve, LDK rikonfirmoi konstruktivitetin e madh në Kuvendin Komunal, duke mbështetur maksimalisht shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuar.
LDK do t’i bëhet gjithmonë krah i mbështetjes për Handikosin, Shoqatën e të Verbërve, shoqatën Pema, nxënësit, bujqit dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Por, e keqja e madhe është që Gjilani për më shumë se tri vite ka humbur parametrat zhvillimorë, sepse synimi i kësaj administrate është punësimi i kunatave e balldëskave, punësimet klienteliste e puro partiake.
Gjilani tash e tri vite e ka humbur vëmendjen e Prishtinës dhe ne si listë e LDK-së zotohemi para qytetarëve se veç me kryeministrin Lumir Abdixhiku, do ta rikthejmë kujdesin e Prishtinës dhe do t’i garantojmë investimet e mëdha.
Vota më 9 shkurt, përkthehet si votë edhe për Komunën dhe për Kuvendin e Republikës.