Haziri zbulon detaje: Tri herë në takim u thashë se Bekim Sejdiu s’pranohet…

Haziri zbulon detaje: Tri herë në takim u thashë se Bekim Sejdiu s’pranohet…

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka zbuluar detaje nga bisedat që janë zhvilluar lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Haziri ka thënë se në takimet me deputetë ka ngritur çështjen e mbështetjes për Sejdiun dhe se tri herë ka marrë përgjigje se kandidatura e tij nuk pranohet.

“Unë e kam ditë edhe e kam thanë, jo një herë, tri herë e kam thanë. Unë e kam thanë që propozimi i Bekim Sejdiut për LDK-në është me vlerë, por impakti që ai e ka bërë me besim, me kredibilitet. LDK-ja e ka zbatu vendimin”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka theksuar se qëllimi i LDK-së është të arrihet uniteti i deputetëve për zgjedhjen e presidentit, duke kërkuar mbështetje edhe përtej grupit parlamentar të LVV-së dhe LDK-së.

“Qëllimi është me arrit unitetin dhe përtej LVV-së e LDK-së me marrë edhe të PDK-së e të Aleancës”, ka thënë Haziri.

Haziri ka treguar se gjatë bisedave me deputetë ka pyetur drejtpërdrejt nëse do ta votonin kandidaturën e Sejdiut.

“Ata që kam bisedu kanë thanë jo. I kam pyet: a e votoni? Kanë thanë jo”, është shprehur ai.

Ai ka lënë të kuptohet se, pavarësisht vlerësimit që LDK-ja mund t’i bëjë një kandidature, për zgjedhjen e presidentit është i nevojshëm një konsensus më i gjerë mes deputetëve.

Deklaratat e Hazirit vijnë në kuadër të përpjekjeve për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Related Articles