Istogu e Vushtrria e luajnë të shtunën ndeshjen vendimtare për titull të kampionit të Kosovës në hendboll.
Derisa te hendbollistët Besa Famgas ishte pakonkurrencë, te hendbollistet do të luhet ndeshja e tretë finale e plejofit për ta përcaktuar kampionin.
Pas dy ndeshjeve rezultati është 1:1, ndërsa fituesi i ndeshjes së tretë i gëzohet titullit. Istogu kishte vetëm fitore deri të martën, kur u mposht me një gol dallim në Vushtrri. Dhe tashmë vushtrriaset synojnë fitore tjetër për ta siguruar titullin e kampionit.
Istogu edicionin e rregullt e kishte mbyllur me të gjitha ndeshjet e fituara. Fitoi lehtë edhe në gjysmëfinale të plejofit dhe në finalen e parë. Por në Vushtrri nuk ia doli ta mbyllë ndeshjen me sukses.
Për të shtunën, istogaset janë të vendosura për fitore.
“I kemi fituar të gjitha ndeshjet deri më tani dhe secila ishte si lojë stërvitore. Në ndeshjen e dytë të finales së plejofit në Vushtrri, kemi luajtur dobët. Na ka munguar motivi, na ka kushtuar komoditeti në lojë, ndërsa kanë vendosur edhe shumë faktorë të tjerë, për të cilët si lojtare profesionale nuk dua të flas. Kemi ekip cilësor dhe mendoj se krejt varet prej nesh”, ka thënë Esma Muratoviq, hendbollistja kryesore e Istogut, që është nga Mali i Zi. “Jam shumë e lumtur që ndeshjen e tretë e luajmë në Istog, në palestrën tonë. Dhe do të japim çdo gjë nga vetja që të gëzohemi në fund”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë loja e Vushtrrisë varet shumë nga Burneta Rama. Ajo mungoi gjatë për shkak të një lëndimi, por është kthyer para plejofit. Dhe ndikimi i saj ishte ai që pritej.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Jemi përgatitur për finale dhe meqenëse tashmë jemi të barabartë, sigurisht që synojmë titullin e kampionit. Vushtrria gjithmonë ka qenë ekip me cilësi dhe me traditë. Nuk jemi rastësisht në finale. E njohim kundërshtarin, e cilësojmë mjaft shumë. Mirëpo mbetet në fushën e lojës të tregohet se kush do të jetë kampioni i Kosovës”, ka theksuar Burneta Rama.