Lirimi i masave anti-COVID-19 do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e vendit sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Bardh Ahmetit.
“Fatmirësisht shëndeti publik është duke u përmirësuar. Situata epidemiologjike në vendin tonë është drejt përmirësimit të theksuar prandaj lirimi i masave dhe lejimi i punës së gastronomisë me orar më të gjatë po edhe i pjesëve të tjera të gastronomisë do të ndikonte pozitivisht në ekonominë e vendit”, është shprehur ai.
Ahmeti ka thënë se lirimi i masave do të ndikonte në një zinxhir të tërë ekonomik duke filluar prej gastronomisë, furnizimeve e kontratave.
“Kjo jo vetëm në krijimin e hapësirës për punë më të gjatë të gastronomisë mirëpo është një zinxhirë i tërë i ekonomisë, i furnizimeve, kontratave të tjera dhe ndërlidhjeve biznesore që janë me këtë sektor si dhe me sektorë të tjerë aktiviteti i të cilëve është reduktuar madje ka sektorë që ka tashmë 1 vit e gjysmë që nuk punojnë, janë të mbyllur në tërësi”, ka shtuar ai.
Për fund, Ahmeti ka theksuar se për sektorët si gastronomia është më me rëndësi lejimi i zhvillimit te veprimtarisë së tyre sesa ndonjë përkrahje financiare e mundshme nga Qeveria.
“Për këta sektorë është më e rëndësishme që të lejohen të punojnë sesa Qeveria t’u ndihmojë me pako dhe instrumente financiare”, ka përfunduar ai.
Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka thënë se gjatë një takimi virutal, të mbajtur të mërkurën me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, është thënë se do të lehtësohen masat kundër pandemisë, përfshirë edhe heqjen e kufizimit të lëvizjes.