Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një adresimi televiziv më 7 tetor tha se Izraeli është “në luftë”, pas sulmit masiv që militantët e Hamasit nisën më herët gjatë ditës.
“Ne jemi në luftë”, tha Netanyahu. “Nuk është ‘operacion’, por luftë”.
Shërbimi kombëtar i shpëtimit në Izrael tha se afër 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e dhunës.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se të paktën 198 persona janë vrarë në Gaza dhe mbi 1.600 të tjerë janë plagosur gjatë dhunës.
Grupi militant Hamas tha se ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.
Luftëtarët e Hamasit po ashtu kanë kaluar kufirin e fortifikuar dhe kanë hyrë në Izrael, duke u përleshur me forcat e mbrojtjes së Izraelit në të paktën shtatë lokacione në jug të Izraelit.
Hamasi lëshoi një deklaratë, duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.
“Ne kemi vendosur t’i japim fund të gjitha krimeve të pushtimit”, u tha në deklaratë. “Koha e tyre për të kryer krime pa u mbajtur përgjegjës ka mbaruar”.
Në një video të publikuar nga Dukagjini, dëgjohen disa persona duke folur në gjuhën shqipe dhe duke bërë thirrje për t’u strehuar.