Ditët e fundit, avokati dhe ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Taulant Hodaj, është lidhur me një kandidaturë të mundshme për kryetar të FFK-së.
Në një postim në Facebook, Hodaj ka theksuar se këto kërkesa janë vazhdimësi e qëndrimeve të tij të hapura për nevojën e ndryshimeve në qeverisjen e FFK-së, duke përmendur parregullsitë, mungesën e transparencës dhe mënyrën jo demokratike të udhëheqjes nga kreu aktual.
Ai ka falënderuar komunitetin e futbollit për besimin e treguar, duke shtuar se do të ishte i gatshëm të hynte në një garë të hapur, demokratike dhe të ndershme, ku klubet dhe anëtarët të kenë lirinë reale për të zgjedhur.
Megjithatë, Hodaj ka theksuar se Kuvendi i thirrur për datën 5 shkurt është jashtëligjshëm organizuar, sipas Ministrisë së Sportit, me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të kamufluara dhe nën presion. Ai ka kritikuar kriteret diskriminuese për kandidim, të cilat e bëjnë garën praktikisht të pamundur dhe favorizojnë vetëm një kandidat.
Hodaj ka theksuar se letra e fundit e FIFA dhe UEFA-së nuk kundërshton argumentin ligjor të Ministrisë, dhe gjatë procesit të hartimit të statutit, këto organizata kanë konstatuar se kriteri aktual për nënshkrime për kandidim është diskriminues.
