Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas publikimit të përgjimeve ku shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari-Lila, u dëgjua teksa koordinonte politika me nënkryetarin e Listës Serbe, Igor Simiq.
Hoti në këtë reagim tha se mashtrimit i erdhi fundi dhe se gjithë përçmimi për SHBA-në, BE-në e lavdet për Oliver Ivanoviqin kanë qenë të koordinuara.
“Sipas asaj që u raportua në media rezulton se përçmimi i Kurtit ndaj aleatëve të Kosovës (me shprehjet: ‘Shtëpia e Verdhë’, ‘Amelika’, ‘Sekretari i Shtetit naiv’, ‘BE-ja tigër prej letre’ e marrëzi të tjera) dhe lavdet për Oliver Ivanoviqin nuk kanë qenë reagime të momentit. Ato reagime duket se kanë qenë të koordinuara”, tha ai.
Kusarin i njëjti e quajti ndërmjetësuese mes Kurtit dhe Radojqiqit, e cila sipas tij e kryen punën me zell.
“Zonja që shërben si ndërmjetësuese mes Kurtit dhe Radojqiqit shihet se e kryen punën me zell. Kjo zonja ndërmjetësuese, në emër të Kurtit, ka negocuar me atë që është në listë të zezë nga SHBA për shtrirjen e institucioneve të Kosovës në veri, për normalizimin lidhur me furnizimin dhe pagesën e energjisë e çështje të tjera”, shtoi Hoti.
“Ja me kë kordinohen këta mashtrues, e jo me Amerikën”, përfundoi Hoti.