Hoti kujton Marrëveshjen e Uashingtonit: Ajo duhet parë si hap i madh drejt normalizimit

Hoti kujton Marrëveshjen e Uashingtonit: Ajo duhet parë si hap i madh drejt normalizimit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në tre vjetorin e Marrëveshjes së Uashingtonit tha se kjo marrëveshje duhet parë si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se marrëveshje të tilla, krijojnë realitete të reja gjeopolitike që sipas tij, ndihmojnë vendimmarrjen e aleatëve në mbështetje të synimeve për integrime euroatlantike.

“Përtej kësaj, Marrëveshjen e Uashingtonit duhet parë si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Marrëveshje të tilla, siç na tregon historia dhe përvoja jonë në ndërtimin e shtetit, krijojnë realitete të reja gjeopolitike që ndihmojnë vendimmarrjen e aleatëve në mbështetje të synimeve tona për integrime euroatlantike”.

“Ata që nuk e kuptojnë këtë filozofi të veprimit politik, nuk e kuptojnë as qëllimin e kësaj marrëveshje. Pyeteni veten se cili ka qenë qëllimi i vendimeve tona politike të fillim viteve 1990, qëllimi i Marrëveshjes së Rambujesë, i marrëveshjes për çmilitarizim të UÇK-së pas luftës, dakordimi me Planin e Ahtisarit dhe marrëveshje të tjera. Të gjitha ato marrëveshje janë bërë nga gra e burra vizionarë me aleatët e Kosovës, duke ditur se këto ato na dërgojnë më afër realizimit të projektit tonë për Kosovën e pavarur”, shkroi ai.

LEXO EDHE: Grenell në trevjetorin e Marrëveshjes së Washingtonit: E pranoj me trishtim se raportet Kosovë-Serbi u përkeqësuan

Tutje, Hoti u shpreh se Marrëveshja e Uashingtonit duhet parë si hap i madh drejt normalizimit, me njohje reciproke.

“ Marrëveshjen e Uashingtonit duhet parë si hap i madh drejt normalizimit të plotë, me njohje reciproke, mes dy vende, siç ceket në letrat e vazhdueshme të presidentëve amerikanë drejtuar Kosovës dhe Serbisë”, shkroi tutje ai.

Related Articles