Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se për shkak të neglizhencës e paaftësisë së Qeverisë, buxhetit të shtetit do t’i kushtojnë miliona euro më shumë librat për nxënësit.
Ai shprehet se “librat do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro më shtrenjtë pasi tani duhet paguar edhe marzhën e shitësve me pakicë të librave”.
Prandaj, ai thotë “imagjinoni si do kishin reaguar këta mashtrues sikur kjo të ndodhte në qeveritë paraprake”.
Sipas tij, problemi me librat do të pamundësoj nisjen e rregullt të mësimit.
Reagimi i tij i plotë:
Miliona euro më shumë nga buxheti për libra për shkak të neglizhencës e paaftësisë.
Shtëpitë botuese do të marrin nga libraritë, apo shitësit me pakicë, shumën e njëjtë të buxhetit sikurse që ofertuan në tenderin e qeverisë, ndoshta edhe më shumë.
Por, librat do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro më shtrenjtë pasi tani duhet paguar edhe marzhën e shitësve me pakicë të librave.
Për keqardhje ku ka degraduar qeverisja e vendit. Imagjinoni si do kishin reaguar këta mashtrues sikur kjo të ndodhte në qeveritë paraprake.
Është viti i dytë me radhë që mësimi nuk fillon me rregull. Vitin e kaluar qeveria ishte në luftë me sindikatat dhe u humbën shumë javë mësim. Këtë vit problemi me librat do të pamundësoj nisjen e rregullt të mësimit.