Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e ka cilësuar qesharake reduktimin e borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit.
Ai theksoi se pushteti ka vepruar në mënyrë joligjore dhe se ky rast tregon një tendencë për korrupsion të pastër, raporton Gazeta Enigma.
“Janë bërë veprime joligjore për reduktimin e borxhit në shifra qesharake. Ky nuk është rasti i vetëm që ka lidhje me korrupsionin. Kam ngritur shumë çështje gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës, që përbëjnë një bazë të qartë për korrupsionin qeveritar,” tha Hoti.
Ai shtoi se “në fund të këtij mandati katërvjeçar, nuk shohim asnjë rezultat konkret nga kjo qeverisje.”
Hoti gjithashtu përmendi se “korrupsion përbëjnë edhe kontratat njëburimore, me 2,223 kontrata të tilla dhe 273 milionë euro të lidhura me to. Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2024 janë lidhur kontrata njëburimore në vlerë prej 15 milionë eurosh.”/GazetaEnigma/