Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndër të tjera, Hovenier ka folur edhe për zgjedhjet, pasi u pyet se çfarë presin të ndodhë në veri për një shtensionim të plotë, duke thënë se duhet të kthehen te deklarata fillestare e BE-së, ku kërkohej të mbaheshin zgjedhjet, ku marrin pjesë edhe serbët, pa kushte.
Por si e parashikon ai të zhvillohen këto zgjedhje?
“Për momentin nuk kam përgjigje. Qeveria e Kosovës ka vendosur një kornizë ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve. Dhe, ne e vlerësojmë këtë dhe e mirëpresim. Unë do të them, gjithashtu, se ka një diskutim… Procesi që është vënë në vend, që kërkon që një përqindje e votuesve të regjistruar ta nënshkruajnë një peticion që më pas kërkon një lloj referendumi për shkarkim dhe më pas kërkon një lloj votimi… Ndonëse e ligjshme dhe e mundshme, është komplekse. Dhe kështu, siç tha kolegu im, Gabriel Escobar, ekziston edhe mundësia që kryetarët e komunave vetëm të japin dorëheqje.
Ne e dimë se edhe kjo shkakton zgjedhje të reja, sepse kjo është ajo që shkaktoi zgjedhjet e mëparshme. Unë do të thosha se nuk e di se si do të jetë procesi. Dhe, gjithashtu, do të thosha se zgjedhjet marrin kuptim kur e dimë se serbët do të marrin pjesë. Siç e thashë, një nga dëshirat e shprehura të BE-së në deklaratën e saj të fundit. Dhe, një nga gjërat që kemi thënë edhe ne është se qëllimi i zgjedhjeve është t’i shtensionojë tensionet në veri. Kjo ndodh vetëm nëse serbët marrin pjesë.
Pra, një nga gjërat që ne po kërkojmë, gjithashtu, është që serbët në veri ta pranojnë. Ata jetojnë në Kosovë. Ata janë qytetarë në sistemin juridik të Kosovës. Ata duhet të marrin pjesë në proceset demokratike për t’u siguruar që të drejtat e tyre avancohen dhe respektohen.”, tha ai në një intervistë për REL-in.
Hovenier po ashtu tha se do të jetë një ambient më pak i tensionuar nëse zgjedhjet komunale mbahen me pjesëmarrjen e serbëve dhe qytetarët në veri ndihen sikur përfaqësohen nga institucionet politike.