Hoxhaj nga Shkupi: Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni dhe Plani i Ahtisaarit në Kosovë janë kontrata me Perëndimin

Hoxhaj nga Shkupi: Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni dhe Plani i Ahtisaarit në Kosovë janë kontrata me Perëndimin

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë sot në Shkup në shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.

Hoxhaj ishte pjesë e panelit së bashku me Ali Ahmetin, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Vlado Buçkovski, dhe ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Paskal Milo, ku diskutuan për rëndësinë historike të Marrëveshjes së Ohrit dhe rolin e saj në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

Në fjalën e tij, Hoxhaj e cilësoi Marrëveshjen e Ohrit si një ngjarje të madhe historike dhe një lëvizje të pakthyeshme, duke e krahasuar rëndësinë e saj për Maqedoninë e Veriut me atë të Planit të Ahtisaarit për Kosovën.

“Marrëveshja e Ohrit është një ngjarje e madhe historike dhe një lëvizje historike e cila është e pakthyeshme. Nëse dikush mendon se mund ta rikthejë prapa, ta rishkruajë, ta rikornizojë, e ka gabim. Marrëveshja e Ohrit, sikurse është edhe Plani i Ahtisaarit në Kosovë, është një dokument i cili e mbyll një epokë dhe ai dokument është themel i një shteti se si të rregullohen marrëdhëniet në mes të dy grupeve më të mëdha etnike, por nuk është vetëm një marrëveshje se si të rregullohen marrëdhëniet në mes të dy grupeve më të mëdha etnike, është edhe një kontratë që e ka Maqedonia e Veriut me Perëndimin, sikurse ne e kemi një kontratë me Perëndimin, përmes Planit të Ahtisaarit. Është një kontratë e cila është përtej kohës që kemi arritur. Dhe në këtë drejtim, ne e shohim një përkushtim të elitës edhe politike edhe intelektuale maqedone dhe jo një rikthim në histori, si një kontribut edhe për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe për ta jetësuar një marrëveshje e cila në fakt nuk i merr askujt asgjë, por përkundrazi, e forcon shtetin e Maqedonisë.”, ka thënë Hoxhaj në fjalën e tij.

Related Articles