Hoxhaj: Shkarkimi i ambasadorëve, skandal

Hoxhaj: Shkarkimi i ambasadorëve, skandal

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas shkarkimit të 12 ambasadorëve nga misionet diplomatike, duke e cilësuar këtë vendim si skandal, raporton Gazeta “Enigma”.

Ai ka thënë se veprime të tilla dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë.

“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me “çelës politik”, e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës. Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me “çelës politik” është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”, ka shkruar Hoxhaj.

Kujtojmë, se Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me shkarkimin e 12 ambasadorëve nga pozitat e tyre diplomatike./Gazeta Enigma.

Related Articles