Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, njoftoi se numri i të vaksinuarve kundër coronavirusit të ri (COVID-19) ka arritur në afro pesë milionë, duke theksuar se për shkak të kësaj do të hiqen shumë masa, përfshirë orën policore, raporton Gazeta Enigma.
“Në mbarë vendin janë administruar vaksina kundër COVID-19 për 4,8 milionë persona, ndërsa në fundjavë kjo shifër do të tejkalojë numrin pesë milionë”, theksoi kryeministri Orban në fjalimin e tij javor për radion shtetërore Kossuth Radio, raporton ATSh
“Kur vaksinimi do të arrijë mbi pesë milionë do të hiqen masat si ora policore, mbajtja e maskës në zona të hapura dhe mbyllja e detyrueshme e vendeve të punës në kohë të caktuar”, shtoi ai.
Orban tha se përveç vaksinës së administruar deri më sot në vend do të arrijnë 7,3 milionë doza BioNTech-Pfizer, 4,7 milionë AstraZeneca, katër milionë Jansen dhe 1,2 milion Moderna, duke shtuar se në rast të nevojës do të mund të administrohen edhe dozat e treta dhe të katërta kundër COVID-19.
Hungaria ishte vendi i parë anëtar i Bashkimit Europian (BE) që ka bërë marrëveshje vaksinash me Kinën dhe Rusinë./Gazeta Enigma/