Ish-ministrja e deputetja e Kuvendit të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit për pagesën 4 euro e 99 centë, për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.
Bajrami ka shkruar se qytetarët nuk e kanë votuar Albin Kurtin që ai t’i gjobitë me nga 5 euro.
“Kam pritur se kundër taksës së re prej 5 euro do të dalin të gjithë deputetët e Vetëvendosjes. Natyrisht, edhe kam pritur reagim nga Albin Kurti, i cili si Kryeministër po gjen kohë për gjithçka – për takime me Vucicin, për shëtitje në Athinë – por jo për hallet e qytetarëve. Madje, po heshtë edhe Presidentja fuqiplotë e Republikës, zonja Osmani, e cila në vizitën e saj zyrtare si UD presidente e pati kritikuar rëndë Ramën për taksën rrugore, e cila po ashtu është 5 Euro”, thotë Bajrami.
“Pra, pushteti i Vetëvendosjes që premtonte edhe heqjen e taksës rrugorë të Shqipërisë, tash çohen e iu vendosin dënime qytetarëve prej 5 euro për një letër ngjitës. Vetëvendosje dhe pushteti i Albin Kurtit premtonte luftë kundër krimit dhe korrupsionit ndërsa tash po japin shumicën e tenderëve pa i respektuar procedurat. Herë, herë po ua japin tenderët edhe ish-punëdhënësve të zyrtarëve të Vetëvendosjes”, shton ajo.
Bajrami ka thënë se Albin Kurtin që premtonte luftë kundër varfërisë, sot ka nisur që të kujdeset për oligarkët.
“Vetëvendosje dhe Albin Kurti premtonin luftë kundër varfërisë ndërkohë sot kanë nisur të kujdesen për oligarkët. Dikur thonin se kushërinjtë janë për dasma e sot janë ulur këmbëkryq në institucione kushërinjtë, nipat e mbesat. Për çdo ditë, Vetëvendosje dhe Albin Kurti po e dëshmojnë se i kanë mashtru votuesit e posaçërisht pleqtë, mjekët, fëmijët. Kryeministër kur do të takoheni me Aleksander Vuciqin?”, ka përfunduar e njejta./Gazeta Enigma/