Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar se katër shtetasve të nacionalitetit rus të cilët të hënën e 15 nëntorit janë ndaluar nga Policia e Kosovës për kalim të paautorizuar të kufirit, iu është ngritur aktakuzë si dhe është kërkuar dëbimi i tyre nga Kosova.
Policia e Kosovës të hënën kishte njoftuar se në fshatin Jelakce të komunës së Leposaviqit, ka ndaluar një veturë të dyshuar të tipit Opel Astra, me targa të huaja, në të cilën ndodheshin katër persona, shtetas të huaj rusë, të cilët përmes rrugëve alternative kishin hyrë ilegalisht në Kosovë.
Ndërkaq, me 22 tetor të këtij viti, Kosova kishte urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati thënë se institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian. /Gazeta Enigma/.