Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në familjen Kurti nga fshati Vllahi i Mitrovicës. Jo fort larg shtëpisë së tyre, djali 35-vjeçar vdiq tragjikisht pasi dyshohet se ka bërë vetëvrasje.
Kjo ngjarje ka tronditur jashtëzakonisht shumë familjen e tij, teksa tashmë kanë nisur hetimet për ta zbuluar motivin që e shtynë t’i jap fund jetës.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Ermond Kurtin, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale, është konstatuar se i riu ishte pa shenja jete.
Për motive akoma të panjohura, Kurti i ka dhënë fund jetës duke u varur në një pemë dhe fatkeqësisht nuk arriti të shpëtojë, përkundër që mjekët intervenuan dhe tentuan për t’ia dhënë ndihmën e parë.
Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme nga ana e njësive policore, teksa trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka humbur jetën 35-vjeçari.
Për vdekjen e tij kanë njoftuar edhe miqtë e familjarët përmes rrjetit social “Facebook”, të cilët u shprehën të pikëlluar për lajmin që morën.