Policia e Kosovës, ka njoftuar se i është vënë në kërkim të një të dyshuari, pasi që dyshohet së të njëjtit i janë kthyer mbi 3500 euro më shumë në një këmbimore në Prizren.
Sipas raportit të Policisë, ankuesi e ka pritur një kohë klientin që ndoshta kthehet për t’i kthyer mjetet valutore të dhënë gabimisht, mirëpo i njëjti deri më sot nuk është paraqitur.
“Me datën 24.04.2023 rreth orës 11:30 ankuesi ka raportuar se në biznesin e tij të këmbimores ‘Franga’ me lokacion Rr. Mark Kaçinari – Prizren, derisa ishte duke punuar kishte ardhur një klient për të bërë këmbim të valutave nga ‘Kron Daneze’ në ‘Euro’, ankuesi ka bërë gabim me mjete monetare gjatë këmbimit dhe në vend të 402.25 eurove ia kthen klientit 4025 euro, ku dallimi figuron të jetë 3622.50 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sektori i hetimeve ka siguruar fotografi dhe video të të dyshuarit, mirëpo deri tani nuk ka rezultuar në identifikim e tij.