Identifikohet vajza e gjetur pa shenja jete në Durrës, Policia: Ka plagë në trup, 17 të shoqëruar

Identifikohet vajza e gjetur pa shenja jete në Durrës, Policia: Ka plagë në trup, 17 të shoqëruar

Polica e Shqipërisë, ka njoftuar se kanë identifikuar trupin e pajetë të viktimës poshtë urës së Dajlanit.

Luljeta Preza, është 32-vjeçarja e gjetur e pajetë mëngjesin e sotëm poshtë urës së Dajlanit në Durrës.

Burime zyrtare të policisë thanë se dyshohet që 32-vjecarja ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës.

Mësohet se deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me një informacion të dhënë paraditën e sotme, se rreth orës 10:35, në lagjen nr.13, Durrës, poshtë urës së Dajlanit, ishte gjetur pa shenja jete, një shtetase, ju informojmë se:

Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja Luljeta Preza, 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase e ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës.

Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.

Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.

Related Articles