IKSHPK del me këshilla për t’u mbrojtur nga i nxehti gjatë fundjavës: Freskoni trupin e pini ujë

IKSHPK del me këshilla për t’u mbrojtur nga i nxehti gjatë fundjavës: Freskoni trupin e pini ujë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë fundjavës, pasi në vend pritet të mbizotërojë mot me temperatura të larta, të cilat klasifikohen si valë e të nxehtit me intensitet mesatar.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, bazuar në parashikimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat e ngritura mund të kenë ndikim në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të popullsisë.

Instituti thekson se fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit janë më të rrezikuar nga efektet e të nxehtit.

IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ekspozimin e gjatë në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të mbajnë ambientet e banimit sa më të freskëta, të konsumojnë mjaftueshëm ujë dhe të kujdesen për grupet më të ndjeshme.

“Mbrohuni nga temperaturat e ngritura: qëndroni larg të nxehtit, mbajeni shtëpinë e freskët, freskoni trupin dhe pini ujë, mbroni të ndjeshmit, sidomos foshnjat dhe fëmijët”, thuhet në njoftim.

Related Articles