Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë mbikëqyrjes së vazhdueshme të situatës epidemiologjike në vend vazhdon të regjistrojë raste të reja të Kollës së mirë (Pertussis).
Gjatë vitit 2024, IKSHPK-ja ka regjistruar 14 raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitet paraprake
Pertusis që ndryshe njihet edhe si Kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes.
Kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1-vjeçare.
Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Fillimisht, simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë.
IKShPK-ja thotë se kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat të cilat nuk e kanë ende kohën e marrjes së doizës së parë (foshnjat prej 0-2 muaj), të cilat duhet të mbrohen nga kontaktet me persona të tjerë (nga moshat më të rritura), që mund të jenë bartës të infeksionit pavarësisht nëse kanë shenja apo jo.
“Mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të foshnjave nga mosha 2-muajshe kur jepet doza e parë kundër Kollës së mirë”.
“Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18 muajshe”.
IKSHPK rithekson se çdo dozë e vaksinës ka rëndësi, sepse e rrit imunitetin dhe i mbron fëmijët nga infeksioni dhe komplikimet e mundshme, prandaj u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen me shumë kujdes Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.