Dhuna në familjet kosovare ka marrë përmasa shqetësuese. Gratë janë ato që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga bashkëshortët, por të cilët nuk kanë guxim t’i denoncojnë në Polici. Ato shpesh zgjedhin edhe rrugë të tjera, si “zgjidhje” për t’iu ikur problemeve. Kështu ka ndodhur edhe me një grua nga Klina.
Mbrëmjen e së dielës gruaja nga fshati Poterq ishte larguar nga shtëpia ku bashkëjetonte me burrin e saj dhe për gati 24 orë nuk dihej asgjë për fatin e saj. Familja u alarmua dhe kërkoi ndihmën e Policisë, por pas një dite ajo u lajmërua vet.
Sipas informacioneve që ka Sinjali ajo ishte larguar nga shtëpia e saj pas dhunës që dyshohet të ketë përjetuar nga bashkëshorti dhe për pasojë kishte vendosur që të ikë.
Pasi familjarët e saj nuk po merrnin asnjë njoftim nga ajo, vendosën ta raportojnë rastin në mënyrë që ta gjejnë më të dashurën e tyre. Por pasi organet e rendit u njoftuan për rastin, viktima u lajmërua nga një shoqe, te e cila kishte qëndruar gjatë asaj kohe.
Burimet bëjnë me dije se ajo është gjetur shëndosh e mirë dhe për detajet e rastit tashmë është vënë në dijeni Policia dhe Prokurori i Shtetit.