Pa fitues e ka gola ka përfunduar ndeshja derbi e javës së 26-të e Superligës mes Ballkanit e Llapit.
Të dy skuadrat kishin rastet e veta për të shënuar gol, por në fund rrjetat mbetën të heshtura.
Pas ndeshjes, Ilir Daja ka thënë se barazimi ishte rezultat real, ndërsa ka theksuar se gara për titull kampioni do të vazhdojë deri në fund.
“Do të thosha se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Në pjesën e parë ishim nën presion nga rezultati i ndeshjes së kaluar dhe nuk mundëm të dilnim në shans. Pjesa e dytë ishte e jona. Këto dy skuadra dhuruan paraqitje të mirë. Jemi me pikë në vendet e para, por duhet ta shikojmë e analizojmë pjesën e parë. Rezultati më i drejtë është barazimi. Tani është një pushim që na ndihmon për të marrë anën psikologjike dhe për të fituar ngarkesë në drejtimin e kondicionit. Kemi pasur shumë ndeshje prej muajit gusht. Besoj që ky pushim do të na shërbej për t’u rikuperuar në anën psikologjike dhe për të kërkuar tjetër ritëm”, deklaroi trajneri Daja.
Edhe pas këtij barazimi, diferenca mes dy ekipeve vazhdon të jetë një pikë, me Ballkanin lider me 52 pikë, e Llapi i dyti me 51 sosh.