Inflacioni godet edhe gjermanët, shumë prej tyre nuk po arrijnë të kursejnë më

Inflacioni godet edhe gjermanët, shumë prej tyre nuk po arrijnë të kursejnë më

Gjermanët njihen si kursimtarë dhe gjatë pandemisë, kur nuk ishte e mundur as të shpenzohej, ndanë edhe më shumë para.

Por me rritjen e çmimeve në muajt e fundit, shumica e gjermanëve më nuk po mund të kursejnë – në rastin më të mirë në fund të muajit janë “në zero”, shkruan “Welt am Sonntag” të hënën.

Vitin e kaluar, Shoqata e Bankave Gjermane të Kursimeve tregoi se vetëm rreth 15% e klientëve të tyre shpenzuan gjithçka që fituan gjatë muajit – ose edhe më shumë. Të gjithë të tjerëve u mbeti diçka si kursim: kuota e kursimeve në Gjermani në vitin 2020 ishte 16.1 për qind e të ardhurave të realizuara të qytetarëve, e vitin e kaluar 15 për qind.

Por në këtë epokë të inflacionit dhe rritjes së çmimeve, kjo ka ndryshuar në mënyrë drastike.

“Ne llogarisim se, për shkak të rritjeve të konsiderueshme të çmimeve, në të ardhmen 60 për qind e familjeve gjermane do të duhet të shpenzojnë të gjitha të ardhurat e tyre të disponueshme – ose edhe më shumë, çdo muaj, thjesht për shpenzimet e jetesës”, tha Helmut Schleweis, president i Shoqatës së Bankave Gjermane të Kursimeve (DSGV) për gazetën “Welt am Sonntag”.

Bankat gjermane të kursimeve (Sparkassen) janë institucione monetare specifike që nga epoka kur ato ishin në pronësi të provincave dhe kur shteti garantonte kapitalin e tyre dhe detyrimin e tyre për të pranuar të gjithë si klientë, pavarësisht nga të ardhurat. E bankat tregtare nëse do të dëshironin, mund të zgjidhnin vetëm ata me të ardhura më të mira.

Related Articles