Ish-kryetari i gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka pyetur misionin e UNMIK-ut në Kosovë nëse është në dijeni për faktin se EULEX ka dorëzuar materiale të krimeve të luftës në Serbi.
Simmons, i cili është treguar shumë këmbëngulës që të vijë e të dëshmojë për pretendimet për keqpërdorimet e misionit të EULEX-it në Kosovë, por thotë se po injorohet nga Kurti, ka dalë më pretendime të reja rreth veprimeve të EULEX-it.
“A është UNMIK-u në dijeni se dosjet e krimeve të luftës që ua transferoi EULEX-it janë dorëzuar në Serbi? A ishte kjo në parim me marrëveshjen mes UNMIK-ut dhe EULEX-it”, ka thënë ai.
Simmons ka kërkuar që të raportojë për punën e EULEX në Kuvendin e Kosovës.
Ish-kryetari i gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka thënë se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me letrën që ia ka dërguar atij para disa javësh, e në të cilën ka listuar një sërë skandalesh që sipas tij e kanë karakterizuar misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, raporton Gazeta Express.
Simmons ka shkruar në Twitter se Kurti e ka pranuar letrën e tij që disa javë, por nuk i ka kthyer asnjë përgjigje.
Simmons para disa javësh ia ka dërguar kryeministrit Kurti një letër, ku paraqet një pjesë të dëshmisë së tij mbi skandalet që thotë se e kanë karakterizuar misionin e EULEX-it. Mbi këtë bazë, ish-kryetari i gjykatësve të EULEX-it ka kërkuar që të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës për të gjitha dëshmitë e përshkruara.
Simmons po injorohet nga Kurti, edhe pse ky i fundit sa ishte në opozitë ishte kundërshtari më i madh i EULEX-it në Kosovë. Ai e cilësonte këtë mision si sundimtar.
“Në njërën anë EULEX-i është dashur t’i arrestoj politikanët kosovarë që kanë vjedhë e zhvatë që nga paslufta. EULEX-i është dashur t’i arrestoj strukturat paralele të Serbisë që operojnë në veri”, shprehej Kurti.