Inspektorati i Komunës së Ferizajt me mbështetjen e Policisë ndërmori aksion për largimin e të gjitha kioskave në sheshin e qytetit shkaku i skadimit të lejeve për operim. Pas kësaj, planifikohet vendosja e 30 kioskave të reja në një lokacion afër sheshit për të mos u penguar hapësira publike dhe as lëvizja e qytetarëve
Inspektorati i Komunës së Ferizajt e nisi të premten zbatimin e vendimit të vitit të shkuar të Kuvendit Komunal për largimin e dhjetëra kioskave në sheshin e qytetit.
Në vend të tyre parashihet të vendosen kioska të reja, porse në një lokacion më larg sheshit, me qëllim që të mos pengohet lëvizja e qytetarëve dhe të lirohen hapësirat publike. Përzgjedhjen e përfituesve të kioskave Komuna ka paralajmëruar se do ta bëjë me ankand publik, por kjo po kundërshtohet nga pronarët e deritanishëm të tyre.
Sherif Aliu thotë se nuk ka shpresë që mund të jetë në listën e përfituesve.
“Nuk jam kundër ligjit, por nuk kam kah t’ia mbaj, sepse 11 anëtarë të familjes i ushqej nga ky biznes i vogël. Jam duke banuar në një barakë së bashku me 11 anëtarë, kushtet i kemi të dobëta, ndërkaq nipat dhe mbesat i kam të sëmurë, gruan e kam të operuar nga tumori dhe vetë jam i sëmurë nga sëmundja e sheqerit”, ka deklaruar Aliu.
E shitësi Naser Teneqja kërkon që prioritet për përfitimin e kioskave të reja t’u jepet atyre që punuan deri më tash.
“Tash e nëntë vjet punoj dhe mbijetoj me këtë veprimtari, i kam dy fëmijë të vegjël. Komuna ka marrë një iniciativë që të largohen të gjitha kioskat, jo vetëm e imja. Ne i kemi larguar me vendimin e Komunës, andaj shpresoj se një ditë komuna ta marrë një vendim të drejtë për ata njerëz që kanë nevojë e që mbajnë familje”, është shprehur Teneqja.
Zëdhënësi i Komunës, Selim Marevci, bëri të ditur largimin e kioskave, pasi që atyre u ka skaduar afati i lejeve.
“Këto kioska janë të demoluara dhe janë në mënyrë të shthurur nëpër shesh dhe nuk janë të vendosura në një vend të caktuar. Andaj, këtë është duke e bërë Drejtoria e urbanizmit sepse do të ketë një lloj uniforme të pamjes së këtyre kioskave dhe po ashtu një lokacion të caktuar. Pjesa për dhënien e këtyre kioskave do të jetë përmes ankandit publik në mënyrë që secili qytetar që pretendon të jetë pronar duhet të aplikojë përmes ankandeve publike”, ka thënë Marevci.
Komuna e Ferizajt planifikon që gjatë muajve të ardhshëm t’i vendosë rreth 30 kioska të reja në afërsi të sheshit.