Inspektorati Policor i Kosovës rreth një muaj më parë kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se një i dyshuar, zyrtar policor me gradën e rreshterit në stacionin policor në Pejë, mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative ndaj zyrtarit policor.
“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni ka vazhduar me bastisje në Pejë bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme” thuhet në njoftimin e IPK-së.
Të dyshuarit të arrestuar në këtë rast me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./GazetaEnigma/