Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përkatësisht Departamenti i Hetimeve, ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë që shërbenin në Stacionin Policor të Podujevës.
Sipas njoftimit të IPK-së, informacionet e para për këtë rast janë pranuar nga Policia e Kosovës, ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim”, thuhet në njoftim.
Hetimet ndaj katër zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në procedurë të rregullt, me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Hetuesit e IPK-së, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë, pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
